Shkarko VIA eSIMFito 1GB falas pas cdo blerje dhe rimbushje!
Download app
iPhone mbi tavolinë me konsumin e internetit celular dhe pakot 3 GB, 5 GB, 10 GB e 20 GB për udhëtim.

Sa GB internet më duhen për 3, 7 ose 14 ditë udhëtim?

Përditësuar së fundmi:
Autori: Ervin Salihu

Një vikend jashtë vendit, një javë pushime apo një udhëtim dyjavor kërkojnë planifikim të ndryshëm të internetit. Për ta zgjedhur pakon, llogarit sa ditë do të qëndrosh dhe si do ta përdorësh telefonin.

Nëse të duhen kryesisht Google Maps, WhatsApp dhe kontrollimi i rezervimeve, mund të orientohesh te një pako më e vogël. Videot, video-thirrjet dhe ndarja e internetit me laptop mund ta rrisin ndjeshëm konsumin.

Sa GB internet më duhen për 3, 7 ose 14 ditë udhëtim?

Për planifikimin fillestar, këto sasi mund të shërbejnë si orientim:

  • Për 3 ditë, si një vikend nga e premtja deri të dielën: rreth 3–5 GB për harta, mesazhe, kërkime dhe pak rrjete sociale.
  • Për 7 ditë: rreth 5–10 GB, nëse përdor aplikacionet e udhëtimit çdo ditë dhe e kufizon shikimin e videove me internet celular.
  • Për 14 ditë: rreth 10–20 GB, nëse kombinon internetin celular me Wi-Fi në akomodim dhe kontrollon konsumin.

Këto janë vlerësime orientuese, jo garanci se pakoja do të mjaftojë. Me përdorim shumë të lehtë mund të të duhen më pak GB. Nëse shikon shpesh TikTok, Instagram Reels ose YouTube, bën video-thirrje të gjata apo përdor hotspot për punë, mund të të nevojiten më shumë se 20 GB edhe për një udhëtim më të shkurtër.

Kontrollo veçmas edhe vlefshmërinë e pakos: sasia e GB-ve dhe numri i ditëve gjatë të cilave mund t’i përdorësh janë dy gjëra të ndryshme.

3 GB, 5 GB, 10 GB apo 20 GB: cilën pako të zgjedh?

Për të zgjedhur sasinë, mendo si do ta përdorësh internetin kur je larg Wi-Fi-t. Tabela më poshtë jep një orientim sipas kohëzgjatjes dhe zakoneve të përdorimit.

Pakoja Kur mund të të mjaftojë Çfarë të mbash nën kontroll
3 GB Një vikend 3-ditor me harta, mesazhe, rezervime dhe pak shfletim. Videot, video-thirrjet dhe ngarkimin e shumë fotove.
5 GB Tri ditë me përdorim më të shpeshtë ose një javë me përdorim të lehtë dhe Wi-Fi në akomodim. Reels, TikTok, transmetimin e muzikës dhe aktivitetin në sfond.
10 GB Një javë me harta, komunikim, rrjete sociale dhe foto; ose dy javë me përdorim të kontrolluar. Videot e gjata, cilësinë e transmetimit dhe hotspot-in.
20 GB Dy javë me përdorim të përditshëm ose një udhëtim më të shkurtër me më shumë foto, video dhe video-thirrje. Transmetimin e shpeshtë në cilësi të lartë dhe konsumin e pajisjeve të lidhura me hotspot.

A mjaftojnë 3 GB për një vikend?

Po, 3 GB mund të mjaftojnë për një udhëtim nga e premtja deri të dielën, nëse internetin celular e përdor kryesisht për navigim, mesazhe, transport dhe kontrollimin e rezervimeve.

Nëse gjatë të njëjtit vikend shikon shpesh video, poston shumë materiale ose bën video-thirrje të gjata, 5 GB apo më shumë mund të jenë zgjedhje më praktike.

Kur ia vlen të zgjedhësh më shumë GB?

Një pako më e madhe ka kuptim kur pret konsum më të lartë: për shembull, nëse do të punosh me laptop përmes hotspot-it ose nuk do të kesh Wi-Fi në akomodim.

Edhe 20 GB mund të shpenzohen shpejt me video në cilësi të lartë. Prandaj, kohëzgjatjen e udhëtimit vlerësoje gjithmonë bashkë me aktivitetet që planifikon të bësh në internet.

Çfarë e harxhon më shpejt internetin gjatë udhëtimit?

Konsumi ndryshon sipas aktivitetit, cilësisë së përmbajtjes dhe cilësimeve të aplikacionit. Prandaj, një orë përdorim telefoni mund të harxhojë sasi shumë të ndryshme interneti.

Google Maps dhe navigimi

Shkarkimi i hartës së destinacionit me Wi-Fi para nisjes mund ta ulë konsumin gjatë udhëtimit. Megjithatë, hartat offline kanë kufizime: udhëzimet për ecje dhe transport publik kërkojnë lidhje, ndërsa navigimi offline me makinë nuk përfshin trafikun në kohë reale.

WhatsApp dhe video-thirrjet

Mesazhet me tekst, dërgimi i videove dhe video-thirrjet kanë kërkesa të ndryshme për internet. Nëse planifikon telefonata të gjata, mund të aktivizosh Use less data for calls te Settings → Storage and data në WhatsApp. WhatsApp rekomandon edhe përdorimin e Wi-Fi-t për të kursyer internet gjatë thirrjeve.

Instagram, TikTok dhe videot e shkurtra

Kur shfleton Reels ose TikTok, videot ngarkohen vazhdimisht. Edhe publikimi i videove dhe fotografive llogaritet në konsumin e pakos.

Për të zgjedhur mes 5 GB dhe 10 GB, merr parasysh sa kohë kalon çdo ditë duke parë dhe ngarkuar video. Konsumin tënd mund ta kontrollosh te cilësimet e telefonit.

Muzika në Spotify

Cilësia e audios ndikon në konsum. Nga shpejtësitë e publikuara nga Spotify, një orë muzikë përllogaritet afërsisht:

  • 43 MB në cilësinë Normal.
  • 144 MB në cilësinë Very high.

Këto përllogaritje mbulojnë audion dhe nuk përfshijnë trafik shtesë, video ose cilësinë Lossless. Spotify lejon zgjedhjen e cilësisë veçmas për internetin celular dhe Wi-Fi.

Netflix dhe transmetimi i videove

Cilësimet mund ta ndryshojnë shumë kohën që të zgjat një GB. Sipas udhëzimit zyrtar të Netflix, në aplikacionin celular:

  • Automatic: rreth katër orë shikim për 1 GB.
  • Save Data: rreth gjashtë orë shikim për 1 GB.
  • Maximum Data: mund të konsumojë 1 GB në 20 minuta, me mundësi konsumi edhe më të lartë.

Këto shifra vlejnë për cilësimet e Netflix. YouTube, TikTok dhe aplikacionet e tjera e përshtatin konsumin sipas mënyrës së tyre të transmetimit.

Si ta llogaritësh sa internet të duhet për udhëtim?

Nise nga konsumi yt i zakonshëm i internetit celular. Pastaj përshtate sipas ditëve të udhëtimit, aktiviteteve që planifikon dhe Wi-Fi-t që do të kesh në dispozicion.

1. Kontrollo cilat aplikacione harxhojnë më shumë

Në iPhone: hape Settings → Cellular ose Mobile Data dhe zbrit te lista e aplikacioneve. Aty shfaqet konsumi për periudhën e regjistruar. Për të matur një periudhë të re, mund t’i rivendosësh statistikat me Reset Statistics dhe ta kontrollosh përdorimin pas disa ditësh. Hapat gjenden edhe te udhëzimi i Apple për përdorimin e internetit celular.

Në Google Pixel: hape Settings → Network & internet → SIMs → App data usage. Zgjidh periudhën dhe kontrollo konsumin sipas aplikacioneve. Në telefonat e tjerë Android, emërtimet dhe vendndodhja e menusë mund të ndryshojnë. Shih edhe udhëzimin e Google për kontrollin e konsumit.

Shiko veçanërisht aplikacionet e videove, rrjetet sociale dhe shërbimet që ngarkojnë foto ose skedarë.

2. Shumëzo konsumin ditor me ditët e udhëtimit

Për një përllogaritje praktike, mund të përdorësh:

Konsumi i pritshëm ditor × ditët e udhëtimit + rreth 20% rezervë

Rezerva është një marzh planifikimi për ditët kur përdor më shumë internet nga sa prisje.

Udhëtimi Shembull përllogaritjeje, me 20% rezervë Pako orientuese
3 ditë 800 MB në ditë × 3 = 2.4 GB; me rezervë, rreth 2.9 GB 3 GB, ose 5 GB nëse pret përdorim shtesë
7 ditë 1 GB në ditë × 7 = 7 GB; me rezervë, 8.4 GB 10 GB
14 ditë 1 GB në ditë × 14 = 14 GB; me rezervë, 16.8 GB 20 GB

Këta janë shembuj llogaritjeje. Përdore konsumin tënd si bazë për të zgjedhur sasinë.

3. Përshtate llogaritjen me udhëtimin

Nëse zakonisht shikon video me Wi-Fi, por gjatë udhëtimit do t’i shikosh me internet celular, përfshije këtë konsum shtesë. Nëse do t’i shkarkosh hartat, muzikën dhe videot paraprakisht, nevoja për GB mund të ulet.

Pasi ta kesh vlerësuar sasinë, krahasoje me pakot e VIA eSIM për destinacionin tënd dhe kontrollo që vlefshmëria ta mbulojë gjithë udhëtimin.

Si ta kursesh internetin gjatë udhëtimit?

Disa cilësime të telefonit mund ta ulin konsumin dhe të të ndihmojnë ta përdorësh pakon për gjërat që të duhen gjatë udhëtimit.

Aktivizo mënyrën e kursimit të internetit

Në iPhone, Low Data Mode kufizon aktivitetin në sfond, ndalon shkarkimet automatike dhe ul cilësinë e disa transmetimeve. Në Android, Data Saver kufizon përdorimin e internetit celular në sfond për shumicën e aplikacioneve. Aplikacionet që po përdor aktivisht mund të vazhdojnë të konsumojnë internet.

Ruaji shkarkimet dhe kopjet rezervë për Wi-Fi

Përditësimet e aplikacioneve, shkarkimet e mëdha dhe ngarkimi automatik i fotove mund të përdorin një pjesë të pakos pa e vërejtur menjëherë.

Para nisjes, kontrollo cilësimet dhe cakto që këto veprime të bëhen me Wi-Fi. Shkarko paraprakisht edhe përmbajtjen që planifikon ta përdorësh gjatë rrugës.

Ule cilësinë e videos dhe muzikës

Kur përdor internet celular, zgjidh një cilësi më të ulët ose mënyrën e kursimit brenda aplikacionit. Netflix dhe Spotify ofrojnë cilësime që ndikojnë drejtpërdrejt në konsum.

Kontrollo pajisjet që lidh me hotspot

Nëse lidh laptopin me telefonin, kontrollo përditësimet, sinkronizimin e skedarëve dhe shkarkimet automatike në laptop. Edhe këto aktivitete përdorin internetin e pakos së telefonit.

Kontrolloje konsumin pas ditës së parë

Dita e parë të jep një sinjal nëse llogaritja jote ishte e përshtatshme. Nëse ke shpenzuar më shumë nga sa prisje, kontrollo cilat aplikacione e kanë përdorur internetin dhe përshtati zakonet për ditët e mbetura.

Si ta zgjedhësh pakon e duhur me VIA eSIM?

Pasi ta kesh vlerësuar sa GB të duhen, kërko destinacionin te VIA eSIM dhe krahaso pakot e disponueshme.

  • Sasia e internetit: a e mbulon konsumin që përllogarite?
  • Vlefshmëria: a përfshihen të gjitha ditët e udhëtimit?
  • Mbulimi: a përfshihen shtetet ku do të shkosh?
  • Hotspot-i dhe shpejtësia: a i përshtaten punës ose pajisjeve që do të lidhësh?
  • Çmimi përfundimtar: krahaso edhe ofertat lokale dhe rajonale, bashkë me kushtet e tyre.

A më duhet pako 3-ditore për një vikend?

Një pako me vlefshmëri më të gjatë mund të përdoret edhe për një udhëtim të shkurtër.

Për shembull, një pako 5 GB me 30 ditë vlefshmëri mund të jetë e përshtatshme për një vikend 3-ditor. Pesë GB tregojnë sasinë e internetit, ndërsa 30 ditët tregojnë afatin gjatë të cilit mund ta përdorësh pas fillimit të vlefshmërisë. Kontrollo kushtet e aktivizimit të pakos para nisjes.

Zgjidhe pakon sipas destinacionit

Pyetjet më të shpeshta

A mjaftojnë 5 GB internet për 7 ditë udhëtim?

Po, 5 GB mund të mjaftojnë për një javë me harta, mesazhe, rezervime dhe përdorim të kufizuar të rrjeteve sociale, sidomos nëse përdor Wi-Fi në akomodim. Për video dhe video-thirrje të shpeshta, mund të të duhet një pako më e madhe.

A mjaftojnë 10 GB për 14 ditë?

Mund të mjaftojnë nëse e kontrollon konsumin. Dhjetë GB për dy javë japin mesatarisht rreth 700 MB në ditë. Nëse shikon shpesh video ose përdor hotspot për punë, 20 GB ose më shumë mund të jenë zgjedhje më praktike.

Sa ditë më zgjasin 20 GB internet?

Varet nga konsumi ditor dhe vlefshmëria e pakos. Me konsum prej 1 GB në ditë, 20 GB mund të mbulojnë rreth 20 ditë; me 2 GB në ditë, rreth 10 ditë. Pakoja duhet të mbetet e vlefshme gjatë gjithë kësaj periudhe.

A ndahet e njëjta sasi interneti kur përdor hotspot?

Po. Kur lidh laptopin ose një telefon tjetër me hotspot, interneti që përdorin ato pajisje llogaritet nga e njëjta pako. Në përllogaritje përfshi konsumin e telefonit tënd dhe të pajisjeve që do të lidhësh.

Çfarë të bëj nëse interneti po më mbaron para fundit të udhëtimit?

Kontrollo aplikacionet me konsumin më të lartë, kufizo videot dhe shkarkimet e mëdha dhe përdor Wi-Fi kur ke mundësi. Te VIA eSIM mund të kontrollosh opsionet e rimbushjes ose të zgjedhësh një pako tjetër për destinacionin tënd.

Gati për udhëtim?

Zgjidh destinacionin dhe krahaso pakot e VIA eSIM sipas GB-ve dhe vlefshmërisë.

Gjej pakon për destinacionin tënd
Banner
WhatsApp Chat